Botimi i librit: SHOQËRI PA KULTURË

Fondacioni VILDANA-Foundation si një nismë premtuese që jep kontributin e saj në progresin e nevojshëm urgjent, si dhe në zhvillimin dhe promovimin e talentëve.

Doli në shitje libri i sociologut Labinot Kunushevci, një ndër librat më të kërkuar që më së miri e shpjegon shoqërinë kosovare në kontekstin e realitetit kritik, botim nga ”Artini” në Prishtinë, 327 faqe, i strukturuar në 5 kapituj, recensuar nga Prof. Ibrahim Berisha. Libri është redaktuar nga Demë Topalli dhe dizajnuar nga Arsim Murseli.

Ai e ndan librin në pesë kapituj, duke filluar me edukimin dhe kulturën publike; pastaj me identitetin dhe konfliktin; Kosovën si koloni të harruar në Kosovë; kiç-akademizmin dhe universitetin; dhe e mbyllë me perspektivën e lavdishme të fondacionit VILDANA-Foundation dhe rolit që ka fondacioni në kontributin me studentët e talentuar, një projekt i mërgatës shqiptare në Zvicër, që po i ngjallë shpresat dhe po i zhvillon potencialet studentore, duke përshkruar themelimin, organizimin dhe suksesin e fondacionit.

Labinoti në këtë libër ka shkruar për mungesën e ndërgjegjes kolektive, për egoizmin dhe arrogancën, për demagogjinë dhe mediokritetin, për keqpërdorimet dhe abuzimet, për diskriminimet dhe padrejtësitë, për dështimet dhe improvizimet, për komunikimet e pa përgjegjshme publike dhe privilegjet e pa merituara, për pseudointelektualët dhe elitën e korruptuar, për vendimet atipike të institucioneve, për devijimet morale dhe mentalitetin primitiv, për hedonizmin si mënyrë jetese dhe sjelljet e çoroditura si tragji-komendi moderne, për anomalitë dhe paradokset e jetës së përditshme, me një kritikë të mprehtë sociologjike, duke iu dhënë një goditje të fortë thumbuese dhe satirizuese.

Në anën tjetër, recensenti i librit, profesor Ibrahim Berisha, shkruan:

”Libri përmban një vistër temash sociologjike kryesisht, të cilat, trajtohen në qasje kritike, që është një nga mungesat e theksuara të trajtimeve paraprake në shkrimet sociologjike. Në aspektin zhanror, janë të kombinuara disa sosh, duke ndërtuar profilin publik intelektual të qartë dhe të konsoliduar të autorit. Cilësia dhe përmbajtja e komunikimit publik, një tregues domethënës i standardit dhe progresit, sado që janë një synim i proklamuar, madje edhe i normuar, nga hulumtimet e bëra të autorit, dalin të jenë ende larg të kërkuarës dhe ende më larg të domosdoshmes. Autori shkruan për shoqërinë e krizës edhe në kontekste të proceseve dhe tendencave sociale dhe kulturore duke dhënë kështu kontribut të vlefshëm për të kapërcyer këtë gjendje, si një punë e domosdoshme për të jetuar dhe prosperuar qytetari i Kosovës në një shoqëri të synuar dhe të duhur, me paqe dhe përgjegjësi reale publike.”

Këto dhe shumë tema të tjera trajtohen nga sociologu Kunushevci, duke u mbështetur në hulumtime, analiza, fakte, fenomene, përvoja, raste e realitete sociale, me një stil të veçantë shkrimi, me një sens të lartë kritik dhe me një llojllojshmëri që e bën lexuesin kurreshtar, kritik dhe të pasionuar të ndjehet sikur po hyn në një horizont të gjerë me shumë ngjyra. Autori e përfshin edhe dimensionin human të shoqërisë, duke sjellë për lexuesin vlerat themelore kulturore dhe emancipuese, në veçanti solidaritetin, sakrificën, përgjegjësinë, humanizmin, komunikimin dhe sjelljen publike, me shembuj të ndryshëm nga jeta publike.

Autori Labinot Kunushevci jeton në Prishtinë. Ai ka mbaruar studimet master në fushën e sociologjisë dhe punon si mësimdhënës i lëndëve shoqërore. Libri “Shoqëri pa Kulturë” është libri i tij i dytë. Dhe gjithashtu ai është kordinator dhe përfaqësues profesional i VILDANA-Foundation.