Themelohet fondacioni i mërgatës shqiptare në Zvicër për mbështetjen e studentëve – VILDANA-Foundation
Frymëzimi i Fondacionit:
Më datën 18.01.2021 është hapur në Zvicër zyrtarisht fondacioni i mërgatës shqiptare i quajtur VILDANA-Foundation, me adresë Neuenhof AG – Zvicër dhe me numër regjistrimi CH-400.7.448.634-5. Ky fondacion mori emrin Vildana, të një gruaje ambicioze që vjen nga një familje Kosovare, e lindur në St. Gallen (CH), me karakter të lartë humanitar, e njohur për kontributin e saj familjar dhe shoqëror duke ndihmuar me mjete financiare studentët në aftësimin e tyre profesional. Vildana vdiq në moshën e re 30 vjeçare, por vullneti dhe përpjekja e saj për të siguruar ndihmë humanitare është rrënjosur thellë në vizionin dhe qëllimin e fondacionit. Me këto vlera, VILDANA-Foundation u themelua në vitin 2021 nga familjarët e saj dhe miqtë e tyre.
Qëllimi i fondacionit është mbështetja e studentëve të talentuar shqiptarë në rajone me origjinë shqiptare (veçanërisht në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore) me bursa. Ky fondacion synon të sigurojë mbështetje financiare duke mbuluar tarifat e shkollimit dhe të promovojë studentë të institucioneve arsimore pavarësisht nga mosha, kualifikimi, prejardhja fetare dhe/ose kulturore në rajonet e lartëpërmendura.
Në mënyrë që studentët e talentuar të mos i braktisin studimet për shkak të vështirësive financiare, VILDANA-Foundation ka marrë përsipër mbështetjen e studentëve me vështirësi financiare, ashtu që ata të përqendrohen plotësisht në studimet, ambiciet dhe vizionin e tyre, pa u brengosur për mungesat financiare.
Ambiciet tona:
Ky fondacion synon të mbështesë studentë të talentuar, kreativë dhe ambiciozë, me aftësi të ndryshme profesionale, që kanë vështirësi të paguajnë kostot semestrale dhe duan të ndryshojnë botën, të kenë një ndikim pozitiv në shoqëri, të zhvillojnë veten dhe të angazhohen për vlerat qytetare dhe profesionale.
Ky fondacion ka web-faqen e tij zyrtare të publikuar në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe gjermanisht: www.vildana-foundation.ch, ku ofrohen informacione për qëllimet, vizionin, anëtarët e fondacionit dhe udhëzime e mundësi për aplikim për bursë apo për të kontribuar me donacione, përmes kritereve dhe procedurave të përcaktuara, ku interesimi dhe kontributi i gjithsecilit është i mirëseardhur.
VILDANA-Foundation do të mbështesë studentë të talentuar të drejtimeve të ndryshme, të cilët tregojnë progres dhe suksese jashtëzakonisht të larta, të cilët janë premtues që mund t’i kontribuojnë shoqërisë përmes zhvillimit të profesioneve të ndryshme. Kreativiteti, inovacioni, ambicia, vizioni, disiplina, sinqeriteti, energjia, vendosmëria, përkushtimi, vullneti, etika profesionale dhe idetë e studentëve kanë nevojë për një zë që i mbështetë në krijimin e një perspektive të dinjitetshme e cila u ndihmon për t’u integruar në tregun e punës. Ai zë tani është VILDANA-Foundation, që është themeluar me shpirtin human të një grupi mërgimtarësh nga Zvicra.
Rreth nesh:
VILDANA-Foundation, me president Driton Thaqin, funksionon përmes ligjeve zvicerane, i regjistruar në Regjistrin Tregtar të Zvicrës, në pajtim me kriteret dhe procedurat profesionale, dhe ka në strukturën dhe bordin e tij njerëz profesionistë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, të cilët me vullnetin e tyre themeluan fondacionin dhe kanë role dhe detyra të caktuara, prej tyre: Biqkaj Irfan, Bunjaku Naser, Bushi Liman, Dullovi Nusret, Dullovi Agron, Kadolli Brahim, Kajtazi Tefik, Krasniqi Ragip, Krasniqi Shkelzen, Kunushevci Labinot, Latifi Besim, Muharemi Remzi, Robeli Lulzim, Rogaqi Mendu, Sejdiji Merdzan, Thaqi Driton, Thaqi Jeton, Thaqi Naim, Thaqi Shpend, Usejni Albion, Zeqiri Blerim, Zeqiri Urim. Fondacioni funksionon përmes bashkëpunimit me kordinatorin dhe përfaqësuesin profesional për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore, Labinot Kunushevci.
Moto e Fondacionit:
Moto e VILDANA-Foundation është thënia e rilindasit shqiptar Sami Frashëri:
”Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë, nëse kërkon që të mbjellësh për 100 vjet, mbill arsim e kulturë”.




